Shi dhe dëborë / Rikthehet “dimri” në Veri
Këtë fillim jave në Shkodër u rikthyen reshjet e shiut në qytet dhe të dëborës në male. Aksi Tamarë-Vemosh dhe Bogë- Theth që në orët e para të mëngjesit u mbuluan nga dëbora.
Sipas inspektorëve të Autoritetit Verior të Rrugëve, firmat e kontraktuara për mirëmbajtjen e akseve menjëherë kanë nisur punën për zhbllokimin e tyre si dhe kriposjen e tyre. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën me dije se pavarësisht dëborës, qarkullimi vijon pa probleme në të gjitha akset.“Gjatë natës janë kthyer reshjet e dëborës me intensitet të ulët në Tamarë-Vermosh, në Qafë Thore-Bogë dhe në Qafë Thanë. Grupet e punës me mjetet borëpastruese në terren kanë bërë pastrimin e rrugëve nga dëbora dhe shpërndarjen e kripës për të evituar ngricat. Qarkullimi vijon pa probleme”, shkruan ARRSH. Autoriteti Rrugor i bën thirrje shoferëve që të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë si dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore për të shmangur aksidente të mundshme. Për 24 orët e ardhshme në vendin tonë moti do të jetë me reshje shiu dhe stuhi në orët e para të mëngjesit në zonën perëndimore, ndërsa gjatë ditës reshjet do të humbasin intensitet dhe duke ia lënë vendin kthjellimeve. Era do të jetë juglindje 8 m/sek dhe dallgëzim të forcës 3, temperaturat do të jenë me rritje. Agjencia e Mbrojtjes Civile kërkon nga bashkitë që të mobilizojnë strukturat operacionale dhe të mbajnë në gatishmëri mjetet për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve në raste nevojë.