Shisnin online 400 euro biletat për ndeshjen Shqipëri-Çeki, 4 të proceduar
Katër persona janë vënë në hetim nga Policia pasi shisnin online bileta për ndeshjen Shqipëri-Çeki, me çmime që shkonin deri në 400 euro.
Sipas njoftimit të policisë, ata i reklamonin biletat e ndeshjes në rrjete sociale dhe shisnin me anë të mashtrimit, me çmime shumë të larta.
Procedimi në gjendje të lirë nisi për shtetasit S. A., 35 vjeç, R. H., 22 vjeç, A. O., 31 vjeç dhe E. Gj., 34 vjeç, të katërt banues në Tiranë.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas kishin krijuar një skemë mashtrimi për shitjen e biletave për ndeshjen Shqipëri-Çeki, me çmime që shkonin deri në 400 euro”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ndeshja Shqipëri-Çeki luhet sonte në orën 20 e 45 në stadiumin “Air Albania”.