Shiste kanabis në qytet/Pranga të riut nga Shkodra, policia i gjen disa doza gati për shitje
Një 29-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi akuzohet se shiste doza kanabisi, në zona të ndryshme në qytetin e Shkodrës. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ka rënë Françesk Malaj.Policia thotë se në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar antidrogë, të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë vijuar punën në terren, të mbështetur nga inteligjenca policore, për goditjen e rasteve të prodhimit dhe të shitjes së lëndëve narkotike, në ambiente të ndryshme.Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas shiste lëndë narkotike kanabis, në zona të ndryshme të Shkodrës, është organizuar puna për kapjen e tij.Në lagjen “Dërgut”, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin Francesk Malaj, të cilit gjatë kontrollit fizik i kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të ndarë në doza, gati për shitje. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, janë gjetur një tjetër sasi lënde narkotike kanabis e ndarë në doza dhe qese farmaceutike për paketimin e tyre. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe celularin e 29-vjeçarit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.