Shkarkimi i Braverman/ Krisafi: Deklarata raciste. Nikolla: Shkak, gjuha dhe urrejtja
Shkarkimi i Suela Braverman nga posti i Sekretares së Brendshme në Britaninë e Madhe për shkak të deklaratave të saj kundër protestave pro-palestinës dhe konsiderimi i shqiptarëve si kriminelë, ka qenë temë diskutimi në emisionin “Jetë Shqiptare”.
Daniel Nikolla, nga Diaspora për Shqipërinë e Lirë u shpreh se shkarkimi i Braverman mund të kishte ardhur edhe më herët, por u prit momenti pranë zgjedhjeve.
Nikolla u shpreh se artikulli i publikuar disa ditë më parë, ku sulmonte Policinë e Londrës dhe etiketonte protestat pro-palestinës si protesta urrejtjeje, ishte pika që derdhi gotën.
Nikolla shtoi gjithashtu se Britania po shkon drejt një krize për rekrutimin e personave të kualifikuar.
“Mendoj se shkarkimi i saj mund të kishte ardhur dhe me herët por objektivat e qeverisë ishin të tilla që të mos kishin destabilitet në pozicionet kryesore dhe u prit ky moment kur është fare pranë zgjedhjeve. U vendosën persona kyç, me portofol të gjerë të vendimeve që kanë marrë të dikastereve që kanë drejtuar dhe gjykoj se do i japin më shumë shance partisë dhe shoqërisë për një stabilitet dhe t’i afrohet Partisë Laburiste dhe ta mbajë qeverinë dhe në zgjedhjet e ardhshme.
Ajo që e derdhi gotën ishte artikulli që u publikua nga vetë Braverman, e cila u kontrollua nga Kryeministri dhe punonjësit e PR.
Bravermanit iu kërkua që disa prej elementeve dhe gjuhës së përmendur të ndryshoheshin, por artikulli u publikua si ishte dhe sulmonte policinë e Londrës, dhe i etiketonte protesta si protesta të urrejtjes.
Ajo që rrodhi nga këto deklarata, pati përleshje në mes të Londrës mes forcave të ekstremit të djathë dhe protestuesve pro-palestinez duke vendosur policinë në vështirësi. Departamentet ishin në dyzim mbi vendimin që duhej të merrnin më tej. I rëndësishëm është dhe vendimi nesër për Ruandën nga Gjykata, nëse do aprovohen kampet nëse refugjatët do shkojnë në Ruandë apo jo”, u shpreh Braverman.
Ndërsa eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Ledion Krisafi deklaroi se shkarkimi i Braverman ishte i pritshëm, dhe shtoi se nuk u shkarkua për vendimet e saj, por për deklaratat raciste.
“Ishte e pritshme prej kohësh. Kishte kohë dhe brenda partisë që kishte presione. Nuk u shkarkua në lidhje me vendimet e saj, por për deklaratat e tepërta, rasicte. E vendoste qeverinë në pozitë të vështirë. Ky ishte problemi kryesor.
E çuditshme të shohësh një ministre të brendshme që dhe prindërit i kishte emigrantë dhe kishte kundërshtim të madh ndaj emigrantëve. Politika e Britanisë ka qenë e tillë, dëshironte të ndalonte me çdo kush ardhjen e varkave.
Braverman ishte personi i gabuar, por duke bërë gjënë që qeveria dëshironte të bënte”, u shpreh ai.