Shkëmbimi kulturor Shqipëri- Belgjikë, “Wow Albania”, projekti që nxit promovimin e vendit tonë në botë
Për tre ditë me radhë një grup studentësh belgë do të vizitojnë disa nga pikat turistike të Shkodrës. Falë një marrëveshje mes universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe dy universiteteve të Belgjikës “Howest” dhe “Ho Gent” po zbatohet për të tretin vit, programi i shkëmbimit kulturor mes tyre. “Wow Albania” ka në thelb promovimin e Shqipërisë, ndërsa risia e këtij viti është xhubleta pas përfshirjes së saj në UNESCO.
Studentët e Fakultetit Ekonomik të UNISHK do të asistojnë ata belgë në përgatitjen e guidave turistike. Koordinatorja belge, Eliza Bruneel thotë se Shqipëria është një vend i bukur, por duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje paketave të detajuara turistike.
Në përfundim të programit, në dy universitetet belge do të organizohet një ditë e hapur, ku studentët do të prezantojnë disa nga pikat tërheqëse të vendit tonë.