Shkodër- Në kërkim prej 3 ditësh, arrestohet 66-vjeçari, sekuestrohen mbi 8 kg kanabis
Një 66-vjeçar është vënë në pranga nga policia tre ditë pasi u shpall në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Territori i pastër”.
Policia ka gjetur afër banesës së 66-vjeçarit 8 kg e 256 gramë kanabis në formë boçeje.
“Në zbatim të planit të masave të hartuar në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Territor i pastër”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, identifikimin dhe kapjen e autorëve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin N. Q., 66 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi gjatë kontrollit të territorit të kryer në kuadër të megaoperacionit “Territor i pastër”, në fshatin Kasnec, në oborrin e banesës së këtij shtetasi dhe në afërsi të banesës, u gjetën 8.256 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa në formë boçeje, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftim.
Sakaq, policia vijon punën për kapjen e djalit të arrestuarit, 17-vjeçari N. Q., i dyshuar i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.