Shkodër, policia publikon akset rrugore me probleme për shkak të reshjeve të dëborës
Policia e Shkodrës dhe Policia Rrugore bëri të ditur të hënën se ka rritur prezencën në akset rrugore urbane e rurale për shkak të motit të keq, me reshje shiu dhe dëbore.
Sipas policisë, aktualisht në akset rrugore Tamarë – Selcë – Vermosh; Bogë – Qafë Thorë – Theth; dhe Pukë – Fushë-Arrëz – Qafë Mali, ka prezencë të dëborës, pasi vijojnë pa ndërprerje reshjet e dëborës.
Policia bën me dije se borëpastrueset janë në terren dhe vijojnë punën për pastrimin e rrugëve nga bora dhe për shpërndarjen e kripës.
Po ashtu Shërbimet e Policisë Rrugore në bashkëpunim me borëpastrueset i kanë shkuar në ndihmë një drejtuesi mjeti nga Saranda, i cili kishte mbetur i bllokuar në aksin rrugor Theth-Bogë, dhe kishte kërkuar ndihmë te 112, pasi duke qarkulluar me goma verore e kishte të pamundur të vijonte lëvizjen.
“Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve që të bëjnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore. Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 112”, thotë Policia në njoftim.