Shkodër- Velipojë me kalime të paligjshme / Banorët: I kemi hapur vetë ne për të shkuar në tokat tona
Shkodër-Velipojë vazhdon që të jetë ndër rrugët më të rrezikshme e sidomos tani kur kalimet e paligjshme të hapura nga banorët janë shtuar në masë. Nga Berdica e deri në Velipojë numërohen rreth 30 hyrje-dalje në të dy kahet e rrugës.Avni Sala është një ndër banorët e Bërdicës, i cili e bën këtë rrugë pothuajse çdo ditë me karrocë me kalë dhe për të shkuar në tokat e tij që i punon. Atij i është dashur që të hapë një kalim të ngjashëm edhe pse është i ndërgjegjshëm për rrezikun që kanoset nga automjetet. Këto kalime vijojnë të shtohen nga dita në ditë pa patur presionin e asnjë institucioni.
Aksi i ri rrugor Shkodër- Velipojë i inauguruar disa vite më parë megjithëse ka shkurtuar shumë distancën për në plazhin e Velipojës duke ndihmuar turizmin, për banorët e fshatrave rruga është jashtë çdo lloj kushti sigurie sidomos gjatë orëve të natës që nuk ka ndriçim.