Shkodra nderon Zamir Shpuzën / Një kupë me emrin e ish- futbollistit dhe vlerësime maksimale për figurën e tij
Një kupë me emrin e tij dhe një ceremoni mbresëlënëse gjatë së cilës u ndanë çmimet përkatëse, por edhe u përcollën kujtime dhe vlerësime maksimale për figurën e ish futbollistit të Vllaznisë, Partizanit, Kombëtares kuqezi, Buduçnostit dhe ekipeve gjermane, Zamir Shpuza. E gjitha kjo ndodhi në përkujtim të ndarjes përpara kohe nga jeta, dhjetë vite më parë në moshën 45 vjeçare të këtij futbollisti, i cili krahas kontributit si profesionist në fushën e lojës, kolegët, shokët dhe miqtë e shumtë të tij, e mbajnë mend dhe e vlerësojnë për humorin dhe humanizmin e lartë që e karakterizonte.
Në mbyllje, ka qënë Luan Shpuza, vëllai i Zamir Shpuzës, i cili në emër të familjes Shpuza, ka falenderuar të pranishmit për pjesëmarrjen dhe respektin e treguar ndaj vëllait të tij.
Traditën futbollistike të familjes Shpuza, tashmë po e ndjekin dy djemtë e Zamir Shpuzës në Gjermani, si dhe nipi i tij, Albi Shpuza, pjesë e ekipit Vllaznia.