Shkodra ndez dritat e festave të dhjetorit/Qindra qytetarë dolën në sheshin para Bashkisë për të shijuar spektaklin e dritave
Dhjetori është muaji i festave dhe në Shkodër atmosfera e tyre po ndihet gjithnjë e më shumë. Pas vendosjes së zbukurimeve kudo në sheshet e qytetit, radhën e kishte ndezja e njëkohëshme e ndriçimit të tyre.
Në sheshin para Bashkisë qindra qytetarë u mblodhën në shesh për të parë nga afër këtë spektakël që për nga formati i organizimit ndodh për herë të parë në Shkodër.
Rrethuar nga fëmijët, së bashku me ta, Kryetari i Bashkisë Benet Beci dhanë komandën e ndezjes së dekorit festiv. Ky manifestim u shoqërua me koncert muzikor ndërsa atmosfera e magjishme e festave e ka shndërruar sheshin para Bashkisë në një zonë tërësisht këmbësore që nis prej sheshit “Nënë Tereza”.
Në çdo ditë të muajit dhjetor nga ora 17⁰⁰ deri në orën 24⁰⁰ do të jetë i ndaluar qarkullimi i automjeteve për t’i lënë hapësirë qytetarëve të jenë pjesë e organizimeve të programuara për festat e dhjetorit në këtë zonë të qytetit.