Shkodra pret Ansamblin Popullor / Të pranishmit në shesh shijuan shfaqjen artistike me këngë e valle tradicionale
Shkodra mirëpriti Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore në Ditën e Krishtlindjes në sheshin e mbushur me qytetarë të shumtë që kishin ardhur për të ndjekur shfaqjen artistike me këngë e valle tradicionale nga jugu në veri përmes skenës lëvizëse.
Me disa nga këngët më të bukura të një repertori të përzgjedhur me kujdes, mes tyre dhe ato shkodrane, artistët e Ansamblit Popullor mbajtën të mbërthyer publikun për më shumë se 90 minuta shfaqje artistike. Shkodra u bë një nga stacionet e këtij turi që po ndërmerr për herë të parë Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.
Përgjegjësja e grupit të valleve, prej një jete në Ansambël, Brikena Jaupaj, thotë se të rinjtë po e trashëgojnë mjaft mirë traditën e valleve shqiptare.
Për valltarët është sa kënaqësi aq edhe përgjegjësi ruajtja e kësaj trashëgimie kulturore.
Fundi i shfaqjes artistike bëri artistët e skenës “një” me publikun duke vallëzuar së bashku. Pas Shkodrës, turi i TKOB dhe Ansamblit Popullor do të vijojë në Kukës dhe disa qytete të tjera të vendit.