Shkodra zgjohet me shpërthim tritoli, dëshmia e pronares së banesës: Nuk kam konflikte
Një shpërthim tritoli ndodhi në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne në Shkodër në banesën e shtetases Frida Sala 62 – vjeçe. Ka qenë ora 3:40 kur eksplozivi shpërtheu në shtëpinë e 62-vjeçares. Nga kjo ngjarje ka vetëm dëme materiale të shkaktuara në derën e shtëpisë, mure dhe dritaret që janë thyer dhe një automjet që ndodhej i parkuar.Ndërkohë, banesa është e pajisur me dy kamera sigurie, të cilat kanë filmuar edhe momentin kur autori me motor ka hedhur lëndën plasëse dhe është larguar.Në dëshminë e saj në polici, 62-vjeçarja e cila punon në Doganën e Hanit të Hotit, ka deklaruar se nuk ka konflikt me askënd. Ajo thotë se ishte zgjuar herët në mëngjes për të ngrënë syfyr për muajin e Ramazanit, bashkë me djalin e saj, kur kanë dëgjuar shpërthimin. Policia ka marrë në pyetje edhe djalin e 62-vjeçares, Dorian Sala, i cili po ashtu ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd dhe se nuk e di se kush mund të jenë autorët. Ky i fundit punon në një kompani interneti dhe nuk njihet si një person problematik.Vëllai tjetër ndodhet në Itali dhe punon si shofer kamioni.Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ndërsa grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e saj, si edhe identifikimin dhe kapjen e autorit.