Shkollat me laboratorë informatike, në Kukës po implementohet teknologjia e përparuar
Teknologjia është shndërruar në domosdoshmëri në të gjitha fushat e jetës. Edhe në arsim përdorimi i saj është i pashmangshëm, si sa i përket edukimit por edhe argëtimit.
Besjona Dunga specialiste e Arsimit në Kukës thotë se teknologjia është burim informacioni që i aftëson nxënësit nëse mirëpërdoret.
“Një nga kompetencat kyçe për të nxënit gjatë gjithë jetës që ka arsimi shqiptar dhe korniza kurrikulare është dhe kompetenca digjitale. Që nxënësit të aftësohen dhe ta të përdorin në dobi të tyre”, tha Dunga.
Viteve të fundit në të gjitha shkollat në bashkinë Kukës është investuar në laboratorë informatike madje në disa shkolla është implementuar teknologji më e avancuar. Roli i shkollave është që të nxisin dhe edukojnë nxënësit që ta përdorin në dobi të tyre, për mësime, programime, etj.
“Nisma e Ministrisë së arsimit është pikërisht që nxënësit ta përqafojnë më shumë teknologjinë, gjithmonë brenda ambjenteve të shkollave. Është investuar që klasat laboratorët të TIK, të plotësojnë kushtet dhe që nxënësit t’a shfrytëzojnë këtë mundësi“, shtoi ajo.
Shfrytëzimi i teknologjisë për të lexuar është pozitive por pa lënë pas dore librin fizikisht.
Bashkia e Kukësit ka ne inventarin e saj rreth 88 objekte shkollore e parashkollore ndërsa me bazë informatike janë të pajisura thuajse të gjitha shkollat.