Shkon në 28 numri i të infektuarve me fruth – ISHP: Bie lehtë gripi por u rritën shtrimet në pediatrinë e QSUT
Shkon në 28 numri i të infektuarve me fruth në vendin tonë. Sipas ISHP javën e fundit janë konfirmuar edhe 6 infektime të reja për të cilat nuk ka informacion se ku janë të përqendruara si raste. Në buletinin javor të ISHP-së raportohet se deri më datë 17 shkurt janë analizuar 107 raste të dyshuara për fruth. Kjo situatë ka shtyrë prindërit të reflektojnë mbi vaksinimin ndaj fruthit duke mos shtyrë më moshën e kësaj vaksine.
Ndërkohë gripi shënon një rënie të lehtë këtë javë me infektime. Monitorimi i infeksioneve të sipërme respiratore , si grip , Covid dhe viroza të tjera këtë javë shkoi në 15 777 raste, por prekje më të lartë këtë javë e pësuan fëmijët e grupmoshës 0-14 vjeç, të cilët sipas paraqitjes grafike rezultojnë më të infektuarit.
Pavarësisht rënies së lehtë në të gjithë vendin, Tirana vijon të shënojë rritje të infeksioneve respiratore bazuar kjo në raportimet e qendrave shëndetësore dhe spitaleve.
Në urgjencën e Spitalit Pediatrik në QSUT këtë javë u shënua një rritje e numrit të shtrimeve me infeksione respiratore tek kjo grupmoshë, ndërsa 4 pacientë të rritur u shtruan në spitalin infektiv dhe 70 me Pneumoni në Spitalin Universitar Shefqet Ndroqi.
Sipas ISHP në vend po qarkullojnë tipet A dhe B të gripit ku varianti A mbizotëron Që nga fillimi sezonit gripal në 1 Tetori të vitit të kaluar, janë shënuar shtatë raste vdekjeje si pasoje e komplikacioneve të këtyre viruseve. Mjekët bëjnë apel për shmangie të ambienteve të populluara dhe ndjekjen e një regjimi ushqimor të pasur.