Shkon në Kuvend projektligji për amnistinë, Manja: Përfitojnë më shumë të miturit dhe gratë e dënuara
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka deklaruar se ka depozituar në Kuvend projektligjin për amnistinë për të burgosurit. Manja ka shpjeguar se nëse kjo amnisti merr pëlqimin e deputetëve, do t’u japë mundësinë 600 të dënuarve që të kalojnë festat e fundvitit me familjarët.
Ai bëri të ditur gjithashtu se dy kategoritë që do të përfitojnë nga kjo amnisti janë gratë dhe të miturit.
“ Nga ky moment ky projektligj do të depozitohet në Kuvend. Fjalën do ta kenë deputetët. Qëllimi i këtij projektligji është përjashtimi tërësisht apo pjesërisht nga dënimi i personave që përfitojnë sipas kritereve të këtij ligji. Parimet e amnistisë dihen. Të miturit me këtë projektligj si kategori janë përfituesit më të mëdhenj së bashku me gratë e dënuara. Përfitojnë rreth 600 të dënuar, që do të kenë mundësi të kalojnë festat pranë familjarëve. Projektligji do të ndjekë procedurën, dhe pasi të marrë votën e deputetëve do të komunikojmë edhe më Presidentin që të ketë një dhënie të pëlqimit paraprak. Janë gratë dhe të miturit qe do të kenë një mundësi që t’i kthehen rehabilitimit”, tha Manja.