Shkrimtari Ismail Kadare feston 88-vjetorin, politika uron “Nderin e Kombit”
Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, feston sot 88-vjetorin e lindjes. Kolosi i letërsisë shqiptare ka marrë urime të shumta, ndërsa po ashtu është kujtuar edhe nga politika shqiptare.
Kreu i shtetit, Bajram Begaj ka uruar “Nderin e Kombit” përmes një postimi në Facebook.
“Jetë të gjatë dhe shëndet shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare! Universi i tij i mrekullueshëm letrar i përcolli Shqipërinë perëndimit, nëpërmjet Ilirisë, legjendave ballkanike, Homerit në epopetë shqipe dhe Eskilit në dramat e kohëve moderne. Kadare është një urë e fortë dhe e bukur e jona me perëndimin”, shkruan Begaj.
Kryeministri Edi Rama ka uruar shkrimtarin përmes një videoje me momente nga jeta e tij, shoqëruar me poezinë e njohur të Kadaresë “Në parkun që mbuluan fletët”.
Po ashtu edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka publikuar në Facebook një foto të shkrimtarit, teksa shkruan: “Gëzuar ditëlindjen kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare!”.
Ismail Kadare është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princesa de Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.