Shkrirja e akullit po “zgjon” 100 vullkane të fshehura të Antarktidës
Vullkani më i njohur i Antarktidës është mali Erebus, por të paktën 100 male vullkanike të tjera gjenden në kontinent, përgjatë bregdetit të tij perëndimor. Disa kanë majat e tyre mbi sipërfaqe, të tjerët shtrihen disa kilometra nën shtresën e akullit të Antarktidës, dhe shkrirja e akulli po ndikon në “zgjimin” e tyre.
Sipas LiveScience, ndryshimet klimatike po bëjnë që shtresa e akullit të shkrihet, duke rritur nivelet globale të deteve. Shkrirja gjithashtu heq peshën nga shkëmbinjtë dhe malet duke rritur aktivitetin vullkanik në vullkanet që ndodhen poshtë shtresave të akullit. Në një studim të botuar së fundmi në revistën e Unionit Gjeofizik Amerikan, Chemistry Geophysics Geosystems , shkencëtarët kryen 4000 simulime kompjuterike për të studiuar se si humbja e shtresës së akullit ndikon në vullkanet “e varrosura” të Antarktidës dhe zbuluan se shkrirja graduale mund të rrisë numrin dhe madhësinë e shpërthimeve të tyre.
Arsyeja është se ky shkrirja e akujve zvogëlon presionin në dhomat e magmës nën sipërfaqe, duke shkaktuar zgjerimin e magmës së ngjeshur. Ky zgjerim rrit presionin në muret e dhomave të magmës dhe mund të çojë në shpërthime.
Shpërthimet e vullkaneve nënglaciale mund të mos jenë të dukshme në sipërfaqe, por ato mund të kenë pasoja për shtresën e akullit. Nxehtësia nga këto shpërthime mund të rrisë shkrirjen e akullit thellë nën sipërfaqe dhe të dobësojë shtresën e sipërme të akullit, potencialisht duke çuar në shpërthime të mëtejshme vullkanike.