Shkrumbohen 6 hektarë pyje, vihet nën kontroll zjarri në Mirditë
Zjarri i rënë mesditën e së premtes në masivin pyjor të fshatit Fierzë të Njësisë Administrative Rubik në Mirditë është vënë nën kontroll, por ende nuk është shuar plotësisht.
Krahas forcave të bashkisë, operacionit për shuarjen e flakëve i janë bashkuar dhe ushtria.
Për shkak të terrenit të thyer malor, po punohet me mjete rrethanore për shuarjen e plotë të këtij zjarri, që sipas të dhënave deri tani ka djegur rreth 6 hektarë pyll me pisha dhe bimësi.
“Flakët dyshohet të jenë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në linjën që ndodhet përgjatë këtij masivi pyjor“, thotë prefekti i Qarkut Lezhë Gjergj Prendi.
Zjarri në masivin pyjor të fshatit Fierzë u shfaq mesditën e së premtes dhe i favorizuar nga era e fortë dhe bimësia e dendur flakët u përhapen me shpejtësi në disa drejtime.