Shkup, Spiropali-Gashi: BE është busulla jonë. Të rrisim dialogun politik mes dy vendeve
Ecja para drejt integrimit të BE dhe tregut të përbashkët evropian, forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në aspektin ekonomik dhe infrastrukturor ishin fokusi deklaratës së përbashkët mes kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali dhe homologut Afrim Gasghi.
Nga Shkupi, Gashi theksoi se dy vendet duhet të rrisin bashkëpunimin e tyre për integrimin në BE, si dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s.
Gjithashtu ai kërkoi më shumë projekte të përbashkëta në fushën ekonomike që do të çonte jo vetëm në zhvillim mes dy vendeve, por edhe të rajonit në tërësi.
“Miqësia dhe bashkëpunimi mes dy vendeve tona duhet të fuqizohet dhe përmirësohet edhe më shumë në të ardhmen. Integrimi në BE dhe bashkëpunimi në kuadër të NATO-s dhe zhvillimi dhe stabilitetin rajonal janë të rëndësishme për dy vendet tona. Në takimin tonë ne shprehëm pritshmërinë dhe shpresën se dy vendet tona do kenë bashkëpunimin e tyre drejt BE dhe kjo është e rëndësishme si për vendet tona dhe për vendet e rajonit. Theksuam se zgjerimi është një nga politikat më të mira gjeostrategjike të unionit dhe me investime afatgjatë për të gjithë Evropën në aspektin e sigurisë dhe ekonomisë. Interes i ndërsjellët për shfrytëzim më efikas të fondeve të BE dhe pjesëmarrje e përbashkët në projekte e reja në kuadër të IPA. Të punohet në thellimin e bashkëpunimit ekonomik në zhvillimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore, ndërtimi i rrugëve, hekurudhave, linjave energjetike për të rritur potencialin”, u shpreh Gashi.
Edhe Spiropali theksoi se BE është busulla drejt të cilës orientohen të dy vendet dhe se vendimet politike duhen të orientohen drejt bashkimit të vendeve në familjen evropiane duke mos lejuar vende nga jashtë të shkaktojnë trazira në rajon.