Shmanget mbyllja e qeverisë në SHBA, Kongresi Amerikan miratoi paketën financiare me vlerë 1.2 trilionë dollarë
Senatorët amerikanë miratuan me 74 vota pro dhe 24 kundër një paketë shpenzimesh me vlerë 1.2 trilion dollarë, e cila do të financojë agjencitë federale deri në shtator, duke shmangur kështu mbylljen e pjesshme të qeverisë amerikane.
Projektligji i ka kaluar presidentit Xho Bajden për ta nënshkruar. “Nuk ishte e lehtë, por këmbëngulja jonë ia vlejti”, tha udhëheqësi i shumicës demokrate Chak Shimer në foltoren e Senatit pas disa orësh negociatash të tensionuara. “Është mirë për popullin amerikan që arritëm një marrëveshje dypartiake për të përfunduar këtë proces”, shtoi ai përpara se projektligji të merrte miratimin përfundimtar.
Më herët kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Majk Xhonson, zemëroi krahun e tij të djathtë duke u mbështetur në votat e demokratëve që paketa financiare të kalonte në Senat. Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët miratoi me 286 vota pro dhe 134 kundër projektligjin prej 1.2 trilion dollarësh për të financuar qeverinë amerikane deri në shtator.
Votimi në Kongres i dha fund një beteje më shumë se gjashtë mujore mbi buxhetin për vitin fiskal që filloi më 1 tetor. Nëse ndodhte mbyllja e qeverisë do të prekeshin rreth 70 për qind e agjencive dhe departamenteve qeveritare amerikane ku përfshiheshin Departamenti i Mbrojtjes, i Sigurisë Kombëtare, Agjencia e Tatimeve, Departamenti i Drejtësisë, i Thesarit dhe i Shtetit.