Shmangnin detyrimet tatimore, zbardhet skema mashtruese e 3 subjekteve. 1 në pranga, 3 detyrim paraqitje
Një person është arrestuar dhe tre të tjerë janë lënë në detyrim paraqitje, pasi Prokuroria e Tiranës zbuloi skemën e mashtrimit të ndërtuar prej tyre për shmangien e detyrimeve tatimore. Është lënë në burg personi me inicialet S.M. ‘arrest në burg’ dhe në detyrim paraqitje personat me iniciale Z.R., E.S. dhe P.K.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, këta persona dyshohet se i kanë shkaktuar 53 milionë lekë dëm shtetit duke shmangur detyrimet tatimore.
Hetimet, që zgjatën disa muaj, provuan se 3 subjekte tregtare u krijuan për të kryer importet në favor të tregtarëve të ndryshëm, që këta të fundit ta merrnin produktin pa faturë. Këto shoqëri kanë funksionuar si ‘nipte shëtitës’ dhe personat tregtarë që fshihen pas këtij aktiviteti përfitonin të ardhura duke mos deklaruar xhiron reale.
Sipas Prokurorisë, këto subjekte kanë kryer importe të mallrave të ndryshme, të cilat janë përdorur për rishitje nga subjekti kundrejt pagesës ose pa dijeninë e tyre.
Personi me inicialet S.M. ka përdorur të dhënat e tre shtetasve Z.R., E.S. dhe P.K. me të cilat ka regjistruar këto subjekte dhe ka kryer çdo veprim në emër të tyre.
Ata akuzohen për veprat penale ‘Krijimi i skemës së mashtrimit në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar’, ‘Fshehje të ardhurash’ dhe ‘Moskallëzim të krimit’.
Gjithashtu, sipas Prokurorisë së Tiranës, dyshohet se në këtë skemë kriminale mashtrimi janë të përfshirë persona, subjekte të tjera, studio kontabiliteti, si dhe funksionarë të administratës shtetërore, për të cilët vazhdojnë hetimet dhe veprimet procedurale për të dokumentuar të gjithë veprimtarinë kriminale.