Shorti i Europianit “Gjermani 2024”/Shqipëria bie në grup me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë.
Në Hamburg të Gjermanisë është hedhur shorti për finalet e Kampionatit Europian 2024, me finalet e kompeticionit që do të zhvillohen në Gjermani në muajt qershor – korrik 2024. Shqipëria është pozicionuar në Grupin B me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë. Një short mjaft interesant për Kombëtaren shqiptare, që kualifikohet për herë të dytë në historinë e saj në finalet e një Kampionati Europian. Në ceremoninë e hedhjes së shortit, përveç personaliteteve të shumta të futbollit europian ishin të pranishëm edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, trajneri i Kombëtares Sylvio Mendes Campos Junior dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.
“Ishte një mbrëmje e bukur. Është mrekulli të jesh këtu. Të gjithë ne kemi bërë mirë deri këtu. Njerëzit duhet të kujtojnë çdo ndeshje që kemi fituar e barazuar për të ardhur këtu. Tani ndryshon pak dhe jemi në një grup të vështirë. Kundërshtarët janë mësuar të luajnë në finalet e Europianit dhe të Botërorit. Flasim për skuadra të forta si Spanja, Italia, Kroacia.. Ne duhet të provojmë mundësitë tona. E kemi bërë deri tani kundër Republikës Çeke, Polonisë. Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka. E dimë që kundërshtarët janë të fortë. Por në momentin që flitet për tre ndeshje finale të një Kampionati Europian, nuk mund të flasim për një favorit. Të gjithë janë favoritë. Ne do të shkojmë të luajmë futboll, do të bëjmë punën tonë. Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka.”, tha trajneri Silvinjo.
Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Italisë më 15 qershor në stadiumin e “Dortmund”, ndërsa më 19 qershor do të përballet me Kroacinë në stadiumin “Hamburg”. Ndeshja e fundit e grupit do të jetë ajo ndaj Spanjës, që do të luhet më 24 qershor në stadiumin “Düsseldorf Arena”.