Shpërndau imazhe të pahijshme të fëmijëve të mitur, ish-spikeri i BBC-së rrezikon deri në 10 vjet burg
Huw Edwards, ish-spikeri kryesor i lajmeve në BBC është shpallur fajtor për tre akuza që rëndojnë mbi shpërndarjen e imazheve të pahijshme të fëmijëve në rrjetet sociale.
Ai u gjet fajtor nga Gjykata e Magjistraturës së Westminsterit në Londër ku gjatë seancës 26-minutëshe u treguan se Edëards kishte shpërndarë imazhe të fëmijëve në WhatsApp midis dhjetorit 2020 dhe gushtit 2021 nga një burrë që fillimisht kishte kontaktuar Edwards përmes mediave sociale.
Edwards, i cili ishte spikeri kryesor në lajmet e mbrëmjes në BBC-së për dy dekada dhe udhëhoqi mbulimin e transmetuesit publik të funeralit të Mbretëreshës Elizabeth II në 2022, është liruar me kusht deri në një seancë tjetër dëgjimore para se të njihet me masën e dënimit më 16 shtator.
Ai mund të dënohet deri në 10 vjet burg, megjithëse prokuroria pranoi se një dënim me kusht mund të ishte i përshtatshëm.
Gjykata dëgjoi se Edwards, 62 vjeç, ishte përfshirë në një bisedë në internet me një burrë në shërbimin e mesazheve, i cili i dërgoi atij 377 imazhe seksuale, nga të cilat 41 ishin imazhe të pahijshme të fëmijëve.
Imazhet që u dërguan përfshinin shtatë nga ato që njihen si “kategoria A”, të cilat janë më të pahijshmet.
Prej tyre, mosha e vlerësuar e shumicës së fëmijëve ishte midis 13 dhe 15 vjeç, por njëri ishte midis 7 dhe 9 vjeç, ku shkëmbimi i imazheve pornografike vazhdoi deri në prill 2022.
“Qasja në imazhet e pahijshme të të miturve përjetëson shfrytëzimin seksual të fëmijëve, gjë që ka trauma të thella dhe afatgjatë mbi këto viktima” tha Claire Brinton nga Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës.
Duke folur në mbrojtje të Edwards, avokati i tij Philip Evans tha se nuk ka “asnjë sugjerim” që klienti i tij “në kuptimin tradicional të fjalës, të ketë krijuar ndonjë imazh të çdo lloji”.
Edwards, shtoi ai, “nuk ka mbajtur asnjë imazh, nuk i ka dërguar askujt tjetër dhe nuk ka kërkuar imazhe të ngjashme nga askund tjetër”.