Shpërthen vullkan i fuqishëm në një gadishull të Islandës
Një vullkan ka shpërthyer në Gadishullin Rejkjanes në jugperëndim të Islandës, vetëm disa javë pas dridhjeve intensive të tokës, njofton Radio Evropa e Lirë.
Rreth 4.000 njerëz janë evakuuar nga qyteza e njohur për peshkim, Grindavik, më herët gjatë këtij muaji, dhe banja termale është mbyllur.
Rajoni rreth kryeqytetit të Islandës, Rejkjavikut, ka regjistruar rritje të aktivitetit sizmik prej fundit të tetorit.
Në pamjet që janë publikuar në rrjetet sociale është parë llava duke u përhapur prej vullkanit, vetëm pak orë pas shpërthimit.
Shpërthimi është parë edhe prej Rejkjavikut, i cili është rreth 42 kilometra larg Grindavikut.
Një banor i ka thënë transmetuesit britanik BBC se pjesa më e madhe e qiellit është “ndriçuar nga ngjyra e kuqe” e shpërthimit, dhe është krijuar tym i madh.
Njerëzit janë paralajmëruar që të qëndrojnë larg zonës së vullkanit, ndonëse nuk ka raportime për persona të plagosur.
Shpërthimi nuk pritet të ndikojë në trafikun ajror, sikurse më 2010.
Në prill të atij viti, një shpërthimi vullkanik ka rezultuar me mbylljen më të gjatë të hapësirës ajrore evropiane, prej Luftës së Dytë Botërore,
dhe humbjet besohet se kanë arritur në 1.5 – 2.5 miliardë euro.