Shpërthimi në liqenin e Ujmanit, identifikohet i dyshuari. Kurti; S’u leverdis normaliteti

Policia e Kosovës ka njoftuar se është në gjurmët e autorit të dyshuar për shpërthimin e fortë që ndodhi të dielën afër liqenit të Ujmanit, te “Tuneli i pestë”.
Një banesë në Zubin-Potok u bastis në orët e mbrëmjes nga Policia, ku mes të tjerash u sekuestruan 3 radiomarrëse dhe një veturë.
Personi i dyshuar për ngjarjen nuk u gjet aty gjatë operacionit dhe vazhdon të jetë në arrati.
“Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu leverdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë. Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervozizmi u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhur me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës,” reagoi edhe kryeministri Albin Kurti.
Shpërthimi i së dielës dëmtoi dy automjete, njëra me targa vendore dhe tjetra me targa amerikane, por nuk pati lëndime në njerëz.
Liqeni i Ujmanit frekuentohet më shpesh gjatë verës nga vizitorët e shumtë, të cilët e shfrytëzojnë atë edhe për të notuar në ditët e nxehta. /Lajmi, Albin Kurti