Shpëtohen 5 alpinistët e bllokuar në pikën turistike të Bogës,një i lënduar
Mbrëmjen e së dieles një telefonatë në sallën operative lajmëroi se një grup alpinistësh ishin bllokuar gjatë eksplorimit, në vendin e quajtur “Maja e Çardakut”, në Bogë. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë dhe ato mbështetëse kanë organizuar një operacion kërkim-shpëtimi dhe pas 12 orësh kërkime gjatë natës dhe gjatë orëve të mëngjesit të sotëm, është bërë e mundur gjetja dhe shpëtimi i grupit të alpinistëve. Operacioni i kërkim-shpëtimit u realizua në kushte tejet të vështira atmosferike dhe gjeografike.
Operacioni i kërkim-shpëtimit, gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, u krye nga Policia Alpine e Forcave Kombëtare të Sigurisë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe dhe me Emergjencat Civile, si dhe një grup vullnetarësh.
26-vjeçari Kledison Doci kishte dëmtuar këmbën dhe është dërguar menjeherë për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër . Aktualisht, bëhet me dije se, është jashtë rrezikut për jetën. Policia e Shkodrës bën me dije se është e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së turistëve dhe vizitorëve, në vendin tonë. Gjithashtu, fton ata dhe qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.