Categories: LajmeSportFutboll

Shpirti dhe sakrifica, “armët” e Shqipërisë në Euro 2024

Shqipëria, vështirë se mund të kishte kërkuar një grup më të ashpër në Euro 2024, por planifikon të mbështetet te “shpirti” dhe “sakrifica” kur të shkojë ballë për ballë me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë në turneun në Gjermani.

Kështu e nis shkrimin agjencia e lajmeve, AFP, që ka intervistuar brazilianin Sylvinho, timonierin e kuqezinjve në rrugëtimin “Gjermani 2024”.

“Janë skuadra shumë të forta, të mësuara të jenë favoritë, të përgatitura për të shkuar në finale dhe për të fituar”, tha trajneri i Shqipërisë Sylvinho, ish-mbrojtësi brazilian i Arsenalit dhe i Barcelonës.

Sylvinho, i cili më parë ka punuar dhe me Lyon e Corinthians, merr merita të mëdha për udhëheqjen e vendit ballkanik në paraqitjen e tyre të dytë në Kampionatin Evropian, pasi u emërua si trajner në fillim të vitit të kaluar. Skuadrës së tij i mungojnë superyjet, por ka lojtarë që luajnë në ligat kryesore evropiane, të udhëhequr nga Berat Gjimshiti, mbrojtësi që sapo ka ndihmuar Atalantën të fitojë Europa League.

Aty janë edhe sulmuesi Armando Broja, i cili ishte i huazuar te Fulhami nga Chelsea, mbrojtësi i Lazios, Elseid Hysaj dhe mesfushori i Interit, Kristjan Asllani. “Forca jonë nuk është një apo dy futbollistë. Forca jonë është ekipi”, tha për AFP trajneri Sylvinho, tani 50 vjeç.

“Shqipëria është një vend që merr pjesë për herë të dytë në një turne kaq të rëndësishëm”, – shtoi ai, duke thënë se, – skuadra kishte shumë zemër, shpirt dhe një ndjenjë sakrifice”.

“Ne kemi punuar shumë për të arritur këtë gjendje shpirtërore në fushë,” shtoi Sylvinho ndërsa ai e çon vendin përsëri në një kompeticion që për herë të parë e përqafuan në 2016.

“Kemi bërë një punë të mirë së bashku, por na pret një sfidë e madhe”, tha trajneri, i cili mori kombësinë shqiptare pasi ndihmoi për të siguruar biletën në Euro 2024.

Përkushtimi i Sylvinhos ndaj skuadrës e ka bërë atë dhe stafin e tij, përfshirë ish-mbrojtësin e Argjentinës, Pablo Zabaleta, të zhvendosen me kohë të plotë në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.

“Ne jemi ekipi i parë teknik që e bëjmë këtë, dhe kjo bën një ndryshim të madh,” shpjegoi ai.

“Lojtarët të shikojnë dhe të thonë ‘ke familje, grua, fëmijë, por nuk jeton me ta, jeton në Tiranë’. Njerëzit më telefonojnë dhe më pyesin ‘ku je?’, i përgjigjem unë? “Në Tiranë”, shtoi njeriu që zëvendësoi italianin Edoardo Reja si trajner.

“Kur bëjmë një punë, e bëjmë mirë, ky është mesazhi që përcjellim. Kështu e shoh unë, duhet të jem këtu, të punoj nga këtu. Dikush thotë ‘është i huaj por jeton këtu, tashmë është shqiptar’. Unë jam shtetas shqiptar”.

Koha e kaluar në vend i ka lejuar atij të kuptojë më shumë vlerat e tij, të cilat ai thotë se janë “besnikëria, respekti për njerëzit… të dalësh në fushë dhe të përfaqësosh vendin pa kursyer forcën tënde”.

Duke hedhur vështrimin drejt turneut, trajneri mbetet i sigurt për shanset e skuadrës, pavarësisht provave të vështira që i presin në Grupin B. Do të luajnë së pari me kampionët në fuqi të Italisë më 15 qershor.

“Unë gjithmonë u them atyre: Nëse nuk fle sepse ka një problem, që duhet ta bëjmë ekipin të funksionojë, atëherë as ju nuk do të flini, do të duhet të punoni më shumë”, tha ai për AFP.

“Gjithçka mund të ndodhë në futboll”, shtoi Sylvinho. “E rëndësishme është t’u tregojmë njerëzve, publikut, se ne luftojmë fort. Unë nuk i bëj gjërat përgjysmë. Ose përfshihem plotësisht ose nuk i bëj”.

RTSH Shkodra

Recent Posts

Kërkimi shkencor- Nënshkruhet Marrëveshja mes Ministrisë së Arsimit dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim

Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit mes Ministrisë së Arsimit dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF )…

2 hours ago

Gazetarja Alsu Kurmasheva fiton Çmimin Ndërkombëtar për Lirinë e Shtypit 2024

Çmimi Ndërkombëtar për Lirinë e Shtypit për vitin 2024 do t’u ndahet 4 gazetareve, mes…

2 hours ago

Rikualifikimi i hyrjes të qytetit Shkodër, IKMT prish 6 objekte

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, vijon me prishjen e objekteve për t’i hapur rrugë…

2 hours ago

Eksperti: Nëndetësja Titan ishte dëmtuar disa ditë para incidentit fatal

Nëndetësja Titan që u shpërbë gjatë zhytjes drejt rrënojave të Titanikut, duke vrarë të pesë…

3 hours ago

Sterilizimi, ish-zv.ministri Rrjepaj lë qelinë për të dëshmuar në Komisionin Hetimor

Ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj po dëshmon në Komisionin Hetimor për Sterilizimin në Kuvend. Prokuroria…

3 hours ago

Gonxhja pret ambasadoren e Austrisë: Rritje të shkëmbimit ekonomik e kulturor mes dy vendeve

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja,  priti në një takim pune ambasadoren e…

3 hours ago

This website uses cookies.