Shqipëri – Bullgari miqësorja testuese / Momenti që Silvinjo t’i japë minuta stolit kuqezi
Pas suksesit të arritur të enjten e kaluar me atë fitore spektakolare ndaj kombëtares së Çekisë me rezultatin 3 me 0, kombëtarja e Shqipërisë rikthehet përsëri të luajë në stadiumin “Air Albania”. Këtë radhë është një ndeshje miqësore, por shumë e vlerësuar nga stafi teknik me në krye trajnerin Silvinjo si dhe vetë futbollistët kuqeblu. Një miqësore që pritet t’i shërbejë kryesisht elementit të stolit që pati pak ose aspak minuta në ndeshjen e kaluar me çekët. Përgatitjet për këtë ndeshje kanë vijuar me seancën e djeshme stërvitore të zhvilluar në kompleksin sportiv të Shtëpinë e Futbollit ku në dispozicion të trajnerit Silvinjo kanë qënë të gjithë futbollistët kuqezi. Me ekipin është bashkuar në stërvitje për herë të parë edhe sulmuesi Marvin Çuni, i cili është stërvitur normalisht me grupin. Seanca stërvitore ka zgjatur për rreth 90 minuta dhe të gjithë lojtarët gëzojnë formë të mirë. Për t’u theksuar se seanca e djeshme stërvitore ka qënë disi ndryshme, pasi kombëtarja e futbollit femra me trajnerin shkodran Armir Grima, e shoqëruar edhe nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, kanë zhvilluar një vizitë tek kombëtarja e meshkujve.
Ndeshja miqësore Shqipëri-Bullgari, luhet të martën në stadiumin “air Albania” duke filluar nga ora 18:00 dhe gjykohet nga një treshe arbitrash nga Kosova, me kryesor Mervan Bejtullahu, i ndihmuar nga anësorët Fatmir Sekiraqa dhe Edmond Zeqiri. Arbitëri i 4-të do të jetë nga Tirana dhe bëhet fjalë për Erjon Bastari