Shqipëri-Irlandë në “Loro Boriçi”/Liga e Kombeve në futboll femra, hyrja është falas
Kombëtarja e Shqipërisë në futboll femra, luan sot ndeshjen e radhës në kuadër të Ligës së Kombeve, grupi B1 duke pritur kombëtaren e Irlandës. Ndeshja në fjalë luhet sot në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës duke nisur nga ora 18:00. Futbollistet kuqezi të drejtuara nga trajneri shkodran, Armir Grima zhvilluan mbrëmjen e djeshme, 24 orë përpara ndeshjes me Irlandën, seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Loro Boriçi” duke përcaktuar gjithçka sa i përket fiksimit të formacionit të parë si dhe varianteve taktike që skuadra kuqezi do të aplikojë në sfidën e sotme ndërkombëtare përballë Irlandës. Për t’u theksuar është në dispozicion të trajnerit Grima janë nëntë futbolliste të Vllaznisë, që përbëjnë edhe bazën e ekipit tonë kombëtar, mes të cilave spikasin, kapitenia Megi Doçi, Ezmiralda Franja, Luçie Gjini, Sara Maliqi, Gresa Berisha, Arbenita Curraj, Matilda Gjergji, etj. Shqipëria e futbollit femra, vjen në përballjen e sotme pas ndeshjes së luajtur katër ditë më parë në transfertë, pikërisht ndaj këtij kundërshtari, duke u mundur me rezultatin 5 me 1, ku të vetmin gol për kombëtaren tonë e shënoi futbollistja e Vllaznisë, Megi Doçi. Më herët, kombëtarja e jonë kuqezi luajti edhe dy ndeshje të tjera, ku fillimisht barazoi 1 me 1 me Hungarinë në stadiumin “Loro Boriçi” si dhe tre ditë më pas u mund në transfertë me rezultatin 1 me 0 nga Irlanda e Veriut. Ndeshja, Shqipëri-Irlandë, e vlefshme për Ligën e Kombeve në futboll për femra, do të luhet sot në stadiumin “Loro Boriçi” duke nisur nga ora 18:00, ku organizatorët kanë vendosur që hyrja në stadium të jetë falas. Sfida e sotme e kombëtares së futbollit femra, është e para që luhet në stadiumin “Loro Boriçi” pas mbylljes së dyerve prej rreth një muaji për arsye të punimeve në proçesin e rimbjelljes së barit. Ndërkohë, menjëherë pas kësaj ndeshje, pasditen e nesërme luhet ndeshja, Vllaznia-Erzeni, e vlefshme për javën e 11-të të kategorisë Abissnet Superiore.