Shqipëri-Ishujt Faroe-Policia plan masash: Angazhohen qindra punonjës policie, rrugët që do të bllokohen
Policia e Shtetit ka marrë masa për ndeshjen Shqipëri-Ishujt Faroe që do të luhet nesër (20 nëntor) në “Air Albania”.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, Policia e Shtetit njofton kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes.
Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’iu ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.
Ata do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Rrugët që do të jenë të bllokuara:
-bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;
-rruga “Papa Gjon Pali II”;
-rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;
-rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së”;
-rruga “Themistokli Gërmenji”;
-rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i liceut;
-rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
-rruga “Jul Variboba”, pranë postës;
-rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;
-rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.
Portat e hyrjes në stadium, ditën e ndeshjes, do të hapen në orën 17:00.
‘Kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjen e stadiumit, duke filluar nga kjo orë, pasi për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium. Gjithashtu, apelojmë për tifozët dhe për qytetarët që të jenë vigjilentë për të mos rënë pré e mashtrimit me çmimet e biletave, të cilat janë të bëra publike zyrtarisht, si dhe që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin. Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas rradhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndeshja Shqipëri – Ishujt Faroe do të luhet në stadiumin “Air Albania” më datë 20 nëntor duke nisur nga ora 20:45.