Shqipëri – Kosovë, nis zbatimi i regjimit të lirë të trafikut ndërkufitar
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Taulant Balla njoftoi të më7rkurën se ka hyrë në fuqi regjimi i lirë i trafikut në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara mes dy qeverive.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, zoti Balla tha se në Pikat e Kalimit Kufitarë në Morinë dhe Vermicë do të ketë korsi të dedikuara për kalimin e lehtësuar të kufirit.
“Sot fillon zbatimi i regjimit të lirë të trafikut lokal të kufirit në hapësirën prej 30 km nga të dy anët e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, në pikat e veçanta të kalimit kufitar. Ndësa në Pikat Kufitare të Morinës dhe Vermicës do të ketë korsi të dedikuara për kalimin e lehtësuar të kufirit”, shkruan Balla.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje të firmosur më 26 nëntor 2021, zona kufitare e lëvizjes së lirë të banorëve me leje të trafikut lokal kufitar është deri në 30 km brenda territorit të palëve nënshkruese.
Marrëveshja parashikon ekzistencën e një entiteti territorial-administrativ, 30 km në brendësi të Shqipërisë dhe 30 km në brendësi të Kosovës, ku shtetasit në të dyja anët do të përfitojnë shërbime të njëjta si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, sikur të jenë shtetas të të dyja vendeve.
Kjo marrëveshje synon ta lehtësojë qarkullimin e banorëve të zonës kufitare, të cilët kanë të drejtë të qëndrojnë në zonën kufitare të palës tjetër, me kusht që kohëzgjatja e qëndrimit të tyre të mos jetë më e gjatë se 90 ditë brenda 180 ditëve.
Banorët e zonës kufitare do të lejohen të kalojnë kufirin tokësor në bazë të regjimit të trafikut lokal kufitar, me kusht që: të posedojnë një dokument të vlefshëm identifikimi; të posedojnë lejen e trafikut lokal kufitar; të mos jenë subjekt i një mase të ndalimit të hyrjes në territorin e palëve nënshkruese ose që nuk përbëjnë kërcënim për rendin publik, sigurinë e brendshme, shëndetin publik apo marrëdhëniet ndërkombëtare.
Nga kjo marrëveshje përfitojnë rreth 300 mijë banorë, të cilët mund të ndjekin lirisht shkollën që nga fillorja e deri në të mesmen, në varësi të vendndodhjes së institucioneve arsimore në të dy anët e kufirit. Mund të shkojnë të punojnë në të dy anët e kufirit.
Marrëveshja po ashtu pritet t’u japë një impuls të ri ekonomisë, tregjeve lokale të zonave kufitare si dhe shërbimeve mes dy vendeve.