Shqipëri- Turqi, bashkëpunim i shkëlqyer me Turqinë në siguri dhe mbrojtje
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë janë në nivele shumë të larta në të gjitha fushat.
Ky ishte vlerësimi i presidentit Bajram Begaj, gjatë një takimi me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë, Gjeneral Metin Gürak të premten në Tiranë.
Presidenti vlerësoi se në siguri dhe mbrojtje ka një bashkëpunim të shkëlqyer mes dy vendeve.
Në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Presidenti Begaj e falënderoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë, Gjeneral Gürak, për ndihmën në vazhdimësi të edukimit dhe trajnimit të efektivave ushtarakë shqiptarë.
Kreu i Shtetit i përcolli gjeneralit Gurak vlerësimet për kompletimin e ushtrisë shqiptare me dronët Bayraktar, si dhe ndihmën e dhënë ndaj Kosovës me mbështetjen për Forcën e Sigurisë dhe përmes FKOR-it, ku Turqia ka aktualisht komandën.