Shqipëria 15 vite në NATO, Ambasada e SHBA: Jeni një aleat i besueshëm
Ambasada Amerikane në Tiranë ka uruar Shqipërinë për 15-vjetorin e saj si pjesë e NATO-s. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO u mbështet fuqimisht në atë kohë nga presidenti amerikan Xhorxh W. Bush, ndërsa sot Ambasada Amerikane thekson se ecuria e Shqipërisë drejt stabilitetit dhe qëndrueshmërisë ka qenë i jashtëzakonshëm.
Duke e vlerësuar si një aleat të besueshëm të NATO-s, Ambasada Amerikane shton se Shqipëria dhe SHBA janë partnerë që qëndrojnë së bashku.
“15 Vite së Bashku: Udhëtimi i Shqipërisë me NATO-n. Që nga anëtarësimi në NATO në 2009, zhvillimi i Shqipërisë në një partner dhe aleat të besueshëm ka qenë vërtet i jashtëzakonshëm. Sot Shqipëria ka siguri, stabilitet dhe qëndrueshmëri – sot Shqipëria ka NATO-n. Së bashku, ne qëndrojmë më të fortë. Edhe shumë vite të tjera si aleatë në NATO!”, shkruan Ambasada Amerikane në Tiranë në platformën X.
Anëtarësimi i vendit tonë në NATO, më 1 prill 2009, është një ndër ngjarjet më të rëndësishme për të gjithë kombin shqiptar. Aktualisht Shqipëria e sheh sigurinë e saj pazgjidhshmërisht të lidhur me sigurinë e territorit që mbulon Traktati i Atlantikut të Veriut.