Shqipëria 15 vite në NATO, Basha: S’jemi më vetëm. Tabaku: Më shumë modernizim të FA

Kryetari i PD Lulzim Basha, përmes një videopostimi në rrjetet sociale ka përkujtuar 15 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kreu i PD,  në atë kohë ministër i jashtëm i Shqipërisë, ka zgjedhur të ndajë një pjesë të fjalës së tij në ceremoninë e nënshkrimit të protokolleve të anëtarësimit në Këshillin e Atlantikut të Veriut, para përfaqësuesve të të gjitha vendeve anëtare të NATO-s.

“15 vite më parë Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, një arritje që bëri krenar çdo shqiptar. Për mua ka qenë nder i veçantë të shërbeja si ministër i punëve të jashtme në këtë moment historik. Sot dua të ndaj me ju një pjesë të mesazhit tim në ceremoninë e nënshkrimit të protokolleve të anëtarësimit në Këshillin e Atlantikut të Veriut, para përfaqësuesve të të gjitha vendeve anëtare të NATO-s:

“Rrallëherë, një komb që luftonte për lirinë e tij, ka rrugëtuar kaq i vetmuar në horizontet e historisë, për kaq gjatë. Izolimi, i imponuar apo i vetë shkaktuar, shënjoi historinë e kombit tim. Është saga e një udhëtimi të pashoq drejt ëndrrës europiane. Luftuam shumë dhe vuajtëm shumë. Por e ardhmja lind përmes sakrificës. Në muzg të luftës tonë për liri ne farkëtuam aspiratën tonë kombëtare për të rrugëtuar sërish krah për krah me popujt e lirë të familjes euro-atlantike. Ndaj sot me nënshkrimin e protokolleve të anëtarësimit, shqiptarët festojnë domethënien e këtij momenti jetik në historinë tonë kombëtare. Kurrë më nuk do të jemi të vetmuar në kauzën e mbrojtes së lirive tona.

Ne do të rrugëtojmë dhe ngrihemi së bashku me ju, kurrë më të ndarë nga tirania apo shtypja por të njësuar rreth vlerave të përbashkëta të dashurisë për lirinë, respektit për dinjitetin njerëzor dhe shanseve të barabarta para ligjit. Këto vlera të paçmueshme, këto të vërteta të padiskutueshme përbëjnë kolonat e identitetit tonë të përbashkët, janë çfarë na bashkon e na bën më të fortë, janë vetë arsyet për të cilat luftojmë dhe vendosim në altarin e sakrificës sublime jetët e bijve dhe bijave tona në uniformë, sa herë këto vlera kërcënohen”, tha Basha.

Edhe deputetja demokrate Tabaku ka uruar 15 vjetorin e anëtarësimit ne NATO të Shqipërisë duke kërkuar më shumë vëmendje në forcimin e rolit të vendit në aleancën më të madhe ushtarake në rajon. Deputetja e PD u shpreh se kjo arritje s’duhet të na vetëkënaqë por të kërkojmë më shumë.

“Ndërsa festojmë 15 vjetorin e anëtarësimit në NATO, le të reflektojmë mbi rrugën dhe fuqinë tonë. Kjo arritje s’duhet të na vetëkënaqë por të kërkojmë më shumë, jo thjesht anëtar por partner dhe kontribuues në këto kohë të turbullta. Modernizimi FA dhe roli rajonal duhet të jetë prioritet”, shkruan Tabaku në platformën X.

Anëtarësimi i vendit tonë në NATO, më 1 prill 2009, është një ndër ngjarjet më të rëndësishme për të gjithë kombin shqiptar. Aktualisht Shqipëria e sheh sigurinë e saj pazgjidhshmërisht të lidhur me sigurinë e territorit që mbulon Traktati i Atlantikut të Veriut.

Ushtarakët shqiptarë janë pjesë e mijëra trupave të vendeve të NATO-s, të cilët shërbejnë në operacionet dhe misionet e Aleancës në vendet baltike, Poloni, Rumani, Bullgari dhe në Kosovë. 

Sa i përket rajonit tonë, i cilësuar me rendësi strategjike nga NATO në Samitet e viteve të fundit, Shqipëria vijon të mbetet një mbështetëse e fortë e politikës së zgjerimit te Aleancës.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.