Categories: LajmeSociale

Shqipëria anëtare e Unionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës, Kumbaro: Partneriteti do forcojë aftësitë tona

Shqipëria është anëtarësuar në Unionin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës (IUCN), duke u bërë anëtarja e 87-të e kësaj organizate. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është caktuar nga shteti si ndërlidhëse zyrtare me Sekretariatin e IUCN.

Ministrja Mirela Kumbaro u shpreh se një partneritet i tillë ofron një platformë për të mësuar nga praktikat më të mira globale.

Teksa Shqipëria i bashkohet IUCN-së, së bashku me biodiversitetin e pasur ne sjellim edhe një angazhim të vendosur për mbrojtjen e mjedisit dhe ky anëtarësim na ofron një platformë të vlefshme për të bashkëpunuar dhe mësuar nga praktikat më të mira globale, duke fuqizuar përpjekjet dhe politikat tona të ruajtjes.

Shqipëria ka krijuar një model për zonat e mbrojtura nëpërmjet shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, i cili mbron një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë. Gjithashtu, Shqipëria ka krijuar parqe të reja si “Parku Kombëtar i Alpeve” në veri të vendit. Këto zona të mbrojtura janë asete kyç për ekoturizmin tonë duke mishëruar në mënyrë të përsosur sloganin “Albania All Senses”. Me mbi 21.4% të territorit nën mbrojtje dhe me nisma të tjera, partneriteti ynë me IUCN do të forcojë aftësitë tona, do të bashkojë njohuritë tradicionale me shkencën moderne dhe do të kontribuojë ndjeshëm në objektivat mjedisore lokale dhe globale. Ne jemi optimistë për përfitimet e ndërsjella që do të nxisë ky bashkëpunim duke fuqizuar praktikat tona të konservimit të biodiversitetit dhe duke avancuar në zhvillimin e qëndrueshëm”, tha Kumbaro.

Politika mjedisore e vendit zbatohet nëpërmjet mekanizmave të tillë si Strategjia Kombëtare e Biodiversitetit dhe Plani i Veprimit, si dhe rrjeti në rritje i zonave të mbrojtura. Duke plotësuar këtë qasje gjithëpërfshirëse për ruajtjen e biodiversitetit, Shqipëria është e angazhuar të reduktojë 20.9% të emetimeve të dioksidit të karbonit CO2 deri në vitin 2030. Kjo përfshin, ndër masat e tjera, menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe restaurimin e peizazhit pyjor.

Jemi të lumtur të festojmë anëtarësimin e Shqipërisë në IUCN. Ne presim të forcojmë bashkëpunimin tonë me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe të ndihmojmë vendin të arrijë objektivat e tij ambicioze kombëtare, duke kontribuar në objektivat globale të konservimit. Disa nga fushat tona të shumta të bashkëpunimit përfshijnë zhvillimin e politikave, ndërtimin e kapaciteteve dhe sigurimin e cilësisë së efektivitetit të menaxhimit të Zonave të Mbrojtura dhe të Konservuara, duke përfshirë certifikimin e Listës së Gjelbër të IUCN”, tha Oliver Avramoski, Drejtor i Zyrës Rajonale të IUCN për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore (ECARO).

Ndërsa Shqipëria i bashkohet IUCN-së si Shteti Anëtar i saj më i ri, të dyja palët janë të përkushtuara për të çuar më tej përpjekjet e përbashkëta për ruajtjen e biodiversitetit, restaurimin e ekosistemit, angazhimin e komunitetit, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe qeverisjen mjedisore.

RTSH Shkodra

Recent Posts

Regjistrimi i mjeteve të reja të transportit, 50 % më shumë automjete elektrike vetëm në janar 2025

Shqipëria po forcon ndjeshëm transportin e gjelbër. Autoritetet e vendit njoftuan së fundi se gjatë…

12 minutes ago

NBA, Golden Stejti në histori, bëhet e pesta skuadër me 3000 fitore në sezonin e rregullt

Triumfi përballë Sharlot Hornets i lejon Golden Stejtit që të futet në një grup special…

13 minutes ago

Trump përzgjedh gazetarët/ Shtëpia e Bardhë përcakton listën e mediave që ndjekin fjalimet e presidentit

Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se do të jenë zyrtarët e administratës Trump ata…

16 minutes ago

Deklarata e Trump për mineralet, Zelensky: Asnjë garanci sigurie në marrëveshjen fillestare

Pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump se do të takohet me homologun ukrainas Volodymyr…

17 minutes ago

Sejko takon drejtorin e FMN, prezanton programin e financimit për bujqësinë

Rritja ekonomike e Shqipërisë ka gjeneruar rritje të punësimit, të pagave dhe të mirëqenies së shoqërisë…

19 minutes ago

Spiropali pret Komisionin e Harmonizimit me BE, vlerëson raportet me Turqinë

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali priti këtë të mërkurë në Kryesinë e Kuvendit, Komisionin për Harmonizimin me…

21 minutes ago

This website uses cookies.