Shqipëria dhe Spanja bashkojnë forcat në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës
Shqipëria dhe Spanja bashkojnë forcat në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla gjatë një takimi me ministrin e Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, në Madrid, ka nënshkruar një memorandum për thellimin e bashkëpunimit operacional në luftën kundër trafikut të narkotikëve dhe krijimin e një grupi të ri të përbashkët hetimor të specializuar në luftën kundër trafikut të drogës.
Sipas njoftimit për shtyp, informohet se Balla e ka komentuar firmosjen e këtij memorandimi si një përpjekje për të çuar në një nivel tjetër bashkëpunimi me Ministrinë e Brendshme të Mbretërisë së Spanjës dhe përmes saj me Policinë Kombëtare Spanjolle, për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, luftës kundër trafikut të lëndëve narkotike, trafikut të paligjshëm të migracionit dhe po ashtu për të krijuar grupe të përbashkëta pune mes të dy policive tona sa i përket indentifikimit të personave të përfshirë në aktivitete kriminale në të dy vendet tona qofshin këta shqiptarë që jetojnë apo janë të përfshirë në aktivitete kriminale që ndodhin në Spanjë.
“Edhe për qytetarët spanjollë, të cilët mund të kryejnë aktivitete kriminale në Shqipëri dhe po ashtu dhe në një nivel më të gjerë, duke përfituar edhe nga fakti se Spanja ka një lidhje të fortë me vendet e Amerikës Latine për të përdorur komunikimin që ka pala spanjolle me këto vende në funksion të identifikimit të qytetarëve shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në këto vende dhe që lidhen kryesisht dhe me korridoret ndërkombëtare të trafikimit të lëndëve narkotike”., tha Balla.
Sipas tij, ka qenë një takim i gjatë edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Kombëtare duke hyrë në detaje konkrete, madje edhe në emra konkretë, në mënyrë që të kihet mundësi që të intensifikohet lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar.
“Në Evropë ka tashmë një koalicion evropian në luftën kundër krimit të organizuar, ku Spanja luan një rol të rëndësishëm. Edhe kjo marrëveshje i shërben pikërisht intensifikimit të punës së përbashkët sa i përket operacioneve dhe hetimeve gjithëpërfshirëse kundër grupeve kriminale që zhvillojnë aktivitetin e tyre jo vetëm në Spanjë, por në gjithë Evropën dhe në këtë kontekst mendoj që rezultatet e arritura deri më tani falë këtij bashkëpunimi, operacionet e përbashkëta edhe në kuadër të EUROPOL-it dhe të INTERPOL-it janë një sërë operacionesh që mund t’ua vëmë në dispozicion, pikërisht për rezultate që ato kanë pasur dhe do të vazhdojmë ta intensifikojmë bashkëpunimin”, theksoi Balla.
Një temë tjetër ka qenë edhe emigracioni i paligjshëm, që përbën një prej sfidave më të rëndësishme me të cilat përballet Evropa.