Shqipëria e Italia firmosin njohjen reciproke të pensioneve më 6 shkurt
Shqipëria dhe Italia do të firmosin më 6 shkurt njohjen reciproke të pensioneve. Kjo do të bëhet gjatë vizitës zyrtare 2-ditore që ministri i Jashtëm Igli Hasani do të zhvillojë në Itali.
Vizita nis më 5 shkurt, ku pritet që ministri Hasani të firmosë disa marrëveshje të rëndësishme mes dy vendeve. Në axhendën e zbardhur nga Ministria e Jashtme, pritet që më 6 shkurt ministri Hasani të firmosë marrëveshjen për njohjen reciproke të kontributit për sigurimet shoqërore së bashku me homologun e tij italianë, Antonio Tajani.
“Marrëveshja vjen si një detyrim dhe e drejtë ndaj qytetarëve shqiptarë, italianë dhe italo-shqiptarë, të cilët kanë punuar me përkushtim për 30 vjet dhe kanë kontribuar në ekonominë dhe përparimin social të të dy vendeve tona. Vizita e ministrit Hasani në Itali shënon një angazhim të thelluar për zgjerimin e bashkëpunimit me Italinë në fusha me interes reciprok, në përputhje me Deklaratën e Partneritetit Strategjik”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Dy vendet kanë punuar për një kohë të gjatë për njohjen e pensioneve reciproke, ndërsa dakordësia për marrëveshjen teknike është arritur në korrik të 2022.
Marrëveshja do i shërbejë të gjithë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Itali, por edhe italianëve që punojnë në Shqipëri pasi përmes saj do të mundësohet njohja e kontributeve të tyre për efekt të pensioneve të pleqërisë, përfitimet për sëmundjet dhe barrë-lindjet, si dhe sigurimet për papunësinë.
Axhenda e zbardhur
Më 5 shkurt në orën 11:00, ministri Hasani do të zhvillojë një takim me Presidentin e Komisionit për Politikat e Bashkimit Evropian, Giulio Terzi di Sant’Agata.
Në orën 16:30 do zhvillohet takimi i ministrave të Jashtëm të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” dhe MPJ-ve të Ballkanit Perëndimor, me ftesë të zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.
Më 6 shkurt në orën 10:00 ministri Hasani do zhvillojë takim me homologun italian, Antonio Tajani dhe firmosja e marrëveshjes për sigurimet shoqërore,
Në orën 11:00 të dy ministrat do dalin në një deklaratë për mediat.
Në orën 14:30 ministri Hasani do ketë takim me Presidentin e Komisionit të Çështjeve Evropiane, Alessandro Giglio Vigna.