Shqipëria e para në Europë – Aeroporti i Rinasit kryeson me rritjen më të lartë të numrit të pasagjerëve
Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve në Evropë (ACI EUROPE) ka publikuar raportin e trafikut ajror që mbulon katër mujorin e dytë të këtij viti.
Aeroporti “Nënë Tereza” kryeson me rritjen më të lartë të numrit të pasagjerëve në klasifikimin për Europën, krahasuar me vitin 2019. Lajmin e publikon në rrjetet sociale edhe kryeministri Edi Rama.
Trafiku i pasagjerëve në aeroportin shqiptar është rritur me +259,4 % në katër muajt e dytë të vitit 2024.
Trafiku i pasagjerëve është rimëkëmbur gjatë gjithë kohës në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke u bërë gjithnjë e më shumë më afër një rikuperimi të plotë me vitin me pandemisë që merret si referencë në këtë rast.
Duke parë pjesën tjetër të Evropës, trafikun më të mirë të pasagjerëve, për të njëjtën periudhë, përveç Shqipërisë e kanë edhe Armenia, Uzbekistani, Kazakistani, Greqia, Serbia etj.
Në korrik Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka regjistruar 1.2 milionë persona, një rekord për këtë aeroport. Statistikat e muajit janar-korrik tregojnë se aeroporti është përdorur nga 6 milionë udhëtarë (jo turistë), një rekord me +60% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Kjo e dhënë ende përkthehet në më shumë se 39,000 fluturime tregtare deri më sot. Gushti gjithashtu ka pritshmërinë për tregues në rritje të udhëtarëve. Parashikimet janë që në këtë aeroport të vijojë rritja e fluksit të pasagjerëve, duke shënuar në fund të këtij viti jo më pak se 9 milionë udhëtarë.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi