Shqipëria e para në Europë për rritjen e fluturimeve/ Lubonja: Tetori “bum” turistësh, 7.1 milionë pasagjerë gjatë 2023-shit
Organizata Evropiane për Sigurinë e Navigimit Ajror (Eurocontrol) ka renditur Shqipërinë të parën në Europë me rritje të numrit të fluturimeve gjatë muajit tetor. Drejtoresha e Marketingut të TIA-s, Kreza Lubonja, u shpreh se ka një rritje të numrit të turistëve në Shqipëri, ndërsa shtoi se muaji tetor shënoi një “bum” pasagjerësh.
Lubonja u shpreh se Shqipëria ka 90 destinacione dhe për vitin 2023 parashikohen që numri i personave që futen në vendin tonë të jetë rreth 7.1 milionë pasagjerë.
“Janë arritje shifrat janar-shtator 2023. Kemi një rritje me 34% nga e njëjta periudhë e 2022. Piku i charterave dhe ardhjes së vizitorëve të huaj. Rritje me mbi 47%.
Nuk kemi krahasim me periudhën e pandemisë. Plani i zhvillimit i detajuar u realizua me shumë sukses. Kemi 90 destinacione. Duke e krahasuar me periudhën para pandemisë kishim 3.3 milionë pasagjerë. Vitin e kaluar 5.2 mln pasagjerë dhe këtë vit parashikohet rreth 7.1 milionë pasagjerë”, tha Lubonja.
Kjo e fundit shtoi se TIA është i vetmi aeroport rajonal që ka 26 kompani ajrore.
“Janë 88 destinacione direkte dhe 26 kompani ajrore. Janë 19 kompani gjithë vitin dhe nga këto 19 kompani, 13 ofrojnë fluturime lidhëse. Nuk vihet vetëm me charter në Tiranë por turistët vijnë edhe me linja legacy.
Jemi aeroporti i vetëm rajonal që ka këtë numër kompanish ajrore, mes low cost dhe linjave legacy airlines”, tha ajo.
Drejtoresha e TIA-s, shtoi se në një muaj ka rreth 52 mijë fluturime ulje-ngritje. Për menaxhimin e situatës dhe fluksit, sipas Lubonjës, ka ndihmuar strategjia e zhvillimit të detajuar.
“Ne kemi në muaj 52 mijë fluturime, ulje dhe ngritje. Strategjia e zhvillimit të detajuar, ndihmoi në rritje dhe fluks.
Kemi ndërtuar në infrastrukturë dhe teknologji. Kemi bërë shumë investime”, tha Lubonja.