Shqipëria e veriut në fokusin e RAI, programi “Linea Verde” transmetoi emisionin dedikuar Shkodrës dhe Lezhës
Programi i njohur italian “Linea Verde” realizoi një puntatë të veçantë kushtuar bukurive të Shqipërisë së Veriut. Turi promovues i saj nisi me një lundrim në liqenin e Komanit për të vijuar me Shkodrën dhe për t’u mbyllur në Fishtë dhe Lezhë.
Jeta e njerëzve të thjeshtë, ajo e mjedisit rural dhe urban, mikpritja dhe bujaria shqiptare, kur miku ulet në sofrën e ngrënies, e ndërthurur me pamje magjepsëse nga qielli dhe toka , që nxjerrin në pah bukurinë natyrore të ndalesave të ekipit Italian, erdhën përmes copëzave të bisedave të moderatorëve të programit televiziv.
Shkodra pasqyrohet në “Linea Verde” me historinë e saj dhe arkitekturën e veçantë të zonës muzeale. Një përshkrim i shkurtër i njeriut të letrave shqipe Atë Gjergj Fishtës dhe më pas një ndalesë tjetër shfaqet kalaja “Rozafa” me madhështinë që e karakterizon.
Katedralja e Shën Shtjefnit dhe vepra më e re e artit në hyrje të qytetin “The Albanian Key” e artistit Alfred Mirash Milot plorësojnë panoramën e qytet në këtë reportazh.
Fishta me agroturizmin dhe Lezha zënë një hapësirë të veçantë në “Linea Verde” që fundin e kësaj puntate në vendin tonë e mbyll me detin dhe panoramën e mrekullueshme të tij.
Ekipi italian gjeti mbështetjen dhe përkrahjen e RTSH në këtë episod të realizuar në Shqipëri falë një marrëveshje të nënshkruar pak kohë më parë ndërmjet dy transmetuesve publikë në vendet respektive.