“Shqipëria, e zhytur në korrupsion të lemerishëm”, Berisha: Sot, 4 herë më pak çështje të dërguara në gjykatë se në 2008-2009
Ish-kryeministri Sali Berisha, ka sulmuar ashpër SPAK-un dhe kreun e tij Altin Dumani, duke e bërë përgjegjës për korrupsionin e lemerishëm sipas tij që ka kapur vendin.
Të shtunën pasdite nga banesa e tij ku vuan masën e arrestit shtëpiak, zoti Berisha ka dalë me një deklaratë për media, ku ka krahasuar angazhimin e zotit Dumani në kohën kur në pushtet ishin demokratët dhe tani kur në pushtet janë socialistët.
Gjatë deklaratës së tij, zoti Berisha tha se, në vitet 2008-2009, kur Altin Dumani drejtonte Task Forcën kundër korrupsionit ka hetuar 1430 çështje me 630 të dënuar.
Ndërkaq i njëjti prokuror, tani nën drejtimin e SPAK, në vitet 2022-2023 ka hetuar 392 çështje me 199 të dënuar, tha zoti Berisha.
Sipas kreut të Rithemelimit aktualisht ka një rënie prej 300% të penalizimeve nga gjykatat për korrupsion, siç ishte dhe rënia me dërgimin e dosjeve.
“Këto të dhëna tregojnë degradimin e plotë të hetimin të korrupsionit nga SPAK-u i kontrolluar nga partia, tregojnë metamorfozën e një njeriu që 15 vite më parë dërgonte me firmën e tij në gjykatë dhe dënoheshin mbi 630 persona, kundër gjithsej 199 personave që janë dënuar në 2 vitet e fundit nga Skapi i partisë.
Këto të dhëna dëshmojnë mungesën e plotë të vullnetit për luftën kundër korrupsionit” tha zoti Berisha.
Sipas tij SPAK “merret me politikë dhe nuk merret me luftën kundër korrupsionit”.