Shqipëria ëndërron kualifikimin, sot në ora 21:00 në Arena Dusseldorf, Shqipëria luan sfidën më vendimtare
Sot në ora 21:00 në Arena Dusseldorf, Shqipëria luan ndoshta një nga sfidat më vendimtare në historinë e kombëtares së futbollit. Përballë Spanjës, kuqezinjtë do të tentojnë kualifikimin për një vend në fazën 1/8.
Furia e Kuqe ka siguruar kalimin më tej pas dy fitoreve në ndeshjet e para dhe sot vijnë më të relaksuar përballë kombëtares shqiptare. Për ne janë jetike 3 pikë që do të na japin mundësi të kalojmë grupin. Atmosfera ka filluar që dje të ndihet në rrugët e Dusseldorfit, ku mijëra shqiptarë kanë festuar e kënduar në sheshet e qytetit ku do të luhet takimi.
Vetëm me 1 pikë në dy ndeshjet e para, ku ndoshta meritonim më shumë, Shqipëria nuk ka se çfarë të humbasë përballë një kombëtareje si ajo e Spanjës. Iberikët dinë të fshehin topin dhe këtë e treguan në ndeshjen ndaj Italisë, ku rezultati ishte minimal 1-0 falë një autogoli të Calafiorit, por diferencat ishin të mëdha. Pritet të shikohet si do të jetë qasja e Sylvinhos ndaj tiki-takas spanjolle.
Janë paralajmëruar disa ndryshime në formacionin kuqezi për mbrëmjen e sotme. Pas pezullimit me dy ndeshje të Dakut, për koret raciste pas ndeshjes me Kroacinë, i gjithë grupi do të jetë në dispozicion të teknikut brazilian. Mendohet se nga minuta e parë do të luajë Armando Broja në majën e sulmit. Por një vend mund të ketë në formacion edhe për Arbër Hoxhan, djaloshi që shkëlqeu në pjesën e dytë ndaj kroatëve duke krijuar aksionin e golit të dytë.
Sylvinho në konferencën e djeshme vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, por u shpreh optimist për lojën e djemve të tij në fushë. Të njëjtin optimizëm për këtë ndeshje kanë treguar edhe futbollistët e kombëtares në prag të kësaj sfide. Nga ana tjetër trajneri spanjoll De la Fuente lajmëroi se mund të luajë me formacionin e dytë përballë Shqipërisë pasi i ka mbyllur llogaritë me grupin, por nuk dha asnjë sinjal se të tijët do tolerojnë diçka ndaj Shqipërisë.