Shqipëria kalon në fazën e dialogut të postmonitorimit në CoE-PACE, Hasani: Tregues i progresit
Pas një monitorimi prej 29 vitesh, Komiteti Monitorues i CoE-PACE ka vendosur të kalojë Shqipërinë në fazën e dialogut të postmonitorimit.
Ministri i Jashtëm Igli Hasani tha se ky vendim është marrë unanimisht, ku Shqipëria ka qenë në monitorim të plotë të formimit të shtetit të së drejtës dhe demokracisë që nga anëtarësimi saj në 1995.
Për ministrin ky monitorim është tregues i progresit të Shqipërisë dhe forcimit të demokracisë.
“Lajm i mirë nga @Pace_News! Pas 29 vitesh të gjata nën monitorim të plotë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, që nga anëtarësimi i Shqipërisë në këtë Organizatë në vitin 1995, Komiteti Monitorues i CoE-PACE ka vendosur të mbështesë unanimisht kalimin e Shqipërisë në fazën e dialogut te postmonitorimit.
Ky vendim është një tregues i qartë i progresit të konsiderueshëm të Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
Ne rikonfirmojmë përkushtimin tonë për të përmirësuar më tej standardet tona demokratike, ndërsa përparojmë në mënyrë të qëndrueshme në rrugën evropiane që qytetarët shqiptarë meritojnë”, shkruan Hasani.