“Shqipëria kampione në Ballkan”, Kryetari i Kuvendit bullgar kërkon ndarjen e proceseve të Tiranës dhe Shkupit
Drejtuesi më i lartë i Parlamentit bullgar, Rosen Zhelyazkov vlerëson përparimin e Shqipërisë gjatë viteve të fundit duke mbështetur ndarjen e proceseve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veiut ndërsa thekson se është e padrejtë që vende me përparim të vogël të anëtarësohen në të njëjtën kohë me shtete si Shqipëria që kanë punuar shumë.
Së pari si do i përcaktoni marrëdhëniet mes dy vendeve?
Nga pikëpamja historike marrëdhëniet tona kanë qenë të shkëlqyera. Ne jemi shumë afër njëri tjetrit. Vetëm 40 minuta na ndajnë nëse udhëtojmë me avion. Gjithmonë kemi pasur një marrëdhënie shumë të ngrohtë. Kohët e fundit marrëdhëniet tona kanë qenë më intensive sepse kemi qasje të njëjta dhe vlera që na bashkojnë. Ju po punoni të vazhdoni këtë rrugëtim drejt anëtarësimit në BE që ne tashmë e kemi kaluar. Shqipëria është kampione mes shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ju i keni bërë detyrat tuaja në mënyrë strikte dhe shumë të rregullt e kjo na kënaq pa masë. Në dy takimet që para me presidentin Begaj dhe kryetaren e Kuvendit Nikolla, pata rastin të ritheksoj mbështetjen dhe përkrahjen e palëkundur të Bullgarisë për rrugëtimin që Shqipëria ka nisur. Shqipëria ka një qasje shembullore edhe përsa i përket gjeopolitikës dhe situatës aktuale të sigurisë që është tepër e ndërlikuar. Kam qenë në Shqipëri dhe në fakt kjo është hera ime e katërt. Hera e fundit ishte në vitin 2019 dhe mendoj se gjatë kësaj periudhë që nuk kam qenë këtu, përparimi shikohet menjëherë dhe jam i bindur se synimi juaj do të realizohet shumë shpejt.
A do të jetë Bullgaria avokate e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në BE?
Unë nuk do të përdorja termin “avokat”. Ju nuk keni nevojë për mbrojtës në këtë kuptim. Sipas meje Shqipëria ka nevojë për një vlerësim të qartë e të drejtë të gjërave pozitive që ka bërë dhe po bën në rrugën drejt BE-së.
Po me Maqedoninë e Veriut çfarë pritet të ndodhë?
Gjatë viteve të kaluara, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë lëvizur paralelisht por kohët e fundit shihet qartë se Shqipëria ka përparuar shumë. Hapat e Shqipërisë janë vlerësuar edhe nga Këshilli Europian në raportin e muajit dhjetor. Vlerësimi ishte shumë pozitiv dhe i jep mundësi Shqipërisë për hapjen e kapitullit të parë të negociimit dhe mund të them që për momentin Shqipëria është shumë përpara Maqedonisë së Veriut në këtë drejtim. Nga ana tjetër, që prej gushtit 2023 jemi dëshmitarë të një procedure shumë të gjatë të hapur në parlamentin e Maqedonisë së Veriut dhe nuk kemi asnjë rezultat pozitiv përsa i përket përfshirjes së minoriteteve në kushtetutën e republikës së Maqedonisë së Veriut. Sipas meje, arsyeja është e lidhur direkt me situatën e brendshme politike të Shkupit por dua të nënvizoj se ky është një hap që duhet hedhur pasi kërkohet nga BE dhe dua të besoj se Maqedonia e Veriut do ta kalojë këtë moment dhe do ta vazhdojë rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian pasi Sofja është përkrahëse e fortë e këtij procesi dhe shpresojmë e besojmë fort te e ardhmja jonë e përbashkët këtu në Ballkan pasi të gjithë kemi nevojë për bashkëjetesë e fqinjësi të mirë. Nuk mund të mos përmend këtu qasjen shumë konstruktive të shqiptarëve në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, zëri më i fortë ndoshta i kësaj qasjeje është homologu im Talal Xhaferri, Maqedonia e Veriut ka nevojë për mirëbesim dhe të gjithë ne kemi nevojë për fqinjësi të mirë dhe unë mendoj se kjo situatë do të kapërcehet shpejt e mosmarrëveshjet e brendshme do të zgjidhjen. Duhet të keni parasysh se kjo është pjesë e kornizës negociuese, pra fqinjësia e mirë kërkohet me çdo kusht në mënyrë që Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e Bashkimit Europian.
A duhet të ndahet Shqipëria nga Maqedonia e Veriut në rrugën e anëtarësimit?
Jam përkrahës i tezës se progresi duhet të matet sipas meritave e në këtë kuptim Shqipëria është më përpara dhe kjo është e padiskutueshme. Së shpejti do të organizojmë konferencën e dytë ndërqeveritare dhe nuk dua të angazhohem me afate por kjo do të bëhet shumë shpejt. Në këtë kuptim jam i mendimit se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të ndahen në procesin e rrugëtimit drejt BE-së.
A është e drejtë që të marrë dritë jeshile Ukraina apo Moldavia dhe Ballkani Perëndimor të vijojë të jetë jashtë BE?
Siç ju thashë, unë mendoj se Europa do të jetë konsekuente në këtë çështje e progresin do ta masë sipas meritave të çdo vendi, kështu që nuk mendoj se pozita gjeografike apo detaje të tjera të tilla që janë jashtë kritereve të meritokracisë, mund të ndikojnë në procesin e anëtarësimit. Besoj se çdo shtet do të zhvillojë procesin e vet sipas meritave të veta.
A duhet një vendim politik për antarësimin e gjithë Ballkanit në një kohë?
Nuk mendoj se një qasje e tillë është pozitive, pra që shtetet e Ballkanit të hyjnë në bllok. Ky parim zakonisht nuk është i mirë për ata që janë më përpara sepse shpejtësia e të gjithë shteteve matet në bazë të atij që ka bërë më pak përparim. Në këtë mënyrë shtetet që janë më përpara, do të vuajnë. Nga kjo pikëpamje, Shqipëria meqënëse është kampionia e Ballkanit perëndimor, do të vuajë dhe kjo nuk do të ishte e pranueshme. Mendoj se vlerësimi i meritave në bazë të meritave do të ishte më i drejtë.
Shmanget kështu ndikimi i mundshëm Rus në rajon?
Padiskutim që ndikimi rus është në shtetet ballkanike dhe vëmë re që ka një ndikim jodirekt në proceset politike e kjo vihet re veçanërisht gjatë zgjedhjeve në vendet e Ballkanit. Pranimi në BE është një proces i gjatë dhe ndikon në të gjitha aspektet e jetës së një shoqërie. Vendet kanë nevojë për përgatitje edhe në aspektin legjislativ në mënyrë që bashkimi të jetë i natyrshëm dhe jo pa parime e me vështirësi e probleme që mund të shfaqen më vonë. Psh, në Bullgari pas hyrjes në BE kishte një eufori shumë të madhe por edhe pas anëtarësimit ne e ndiejmë ndonjëherë këtë mospërputhje dhe kemi ende nevojë për përafrimin e të gjitha proceseve në shoqëri. Kështu që jam i bindur se qasja e meritave dhe p[përparimit të ngadaltë të çdo shteti është ajo që është më e mira në këtë situatë. Shqipëria u pranua me statusin e vendit kandidat në vitin 2014 dhe ka kaluar shumë kohë që nga ai vit. Kemi përjetuar pandeminë e madje edhe luftën, pra nuk është e mundur që proceset të jenë të shpejta sepse ndikimet janë nga të gjitha anët. Ka nevojë për kohë dhe për përpjekje.
Po, jam i bindur dhe mendoj se nëse vij edhe pas disa muajsh ju do te keni bërë hapa përpara. Jam gjithashtu i bindur se konferenca e dyte ndërqeveritare do te zhvillohet shumë shpejt. Shikoj që ka vullnet politik dhe ju ndani vlerat e përbashkëta europiane, e keni ambicien shumë të fortë për modernizim, shikoj optimizmin në sytë e njerëzve. Ju jeni një komb i ri dhe kam bindjen që përparimi juaj drejt bashkimit europian është i pashmangshëm.
Edhe unë ju falënderoj për interesimin.