Shqipëria kërkon arritjen e paqes në konfliktin Rusi-Ukrainë
Shqipëria i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të mbështetet formula e paqes e propozuar nga Presidenti Zelenski për Ukrainën. Në takimin e 31 tetorit të Këshillit të Sigurimit, Ambasadori shqiptar Ferit Hoxha e risolli në vëmendje propozimin e paqes, referuar edhe një rezolute të OKB-së që e kërkon këtë.
“Ne mbështesim Formulën e Paqes të propozuar nga Presidenti Zelensky. Një takim i 66 vendeve u mbajt në Maltë disa ditë më parë, duke konfirmuar një mbështetje në rritje për një rrugë drejt një paqeje të drejtë, siç kërkohet në një rezolutë të OKB-së. Pavarësisht sfidave të luftës që i janë imponuar, Ukraina e ka vendosur të ardhmen e saj ekonomike, kulturore dhe politike me Evropën, diçka që Rusia është përpjekur ta parandalojë me vite, por pa dashje po e përshpejton tani” tha zoti Hoxha.
Ndërsa mbështet këtë zgjidhje, Shqipëria njeh nga ana tjetër nevojën e mbajtjes së përgjegjësisë për shkaktarët sa dhe efektin e përgjithshëm global të saj.
“Ndërsa kjo luftë kalon në dimrin e saj të dytë të plotë, ne duhet të pranojmë realitetin e pashmangshëm se rezultati në Ukrainë do të përcaktojë ndjeshëm nëse bota jonë do të qeveriset nga ligjet apo nga dhuna e plotë. Kjo është ne duhet të jemi mirënjohës për sakrificat e jashtëzakonshme të ukrainasve për të mbrojtur drejtësinë, lirinë dhe ligjet” tha ambasadori ferit Hoxha.
Thirrja e Shqipërisë i drejtohet edhe njëherë Rusisë që të ndalojë luftën, të tërheqë të gjitha trupat e saj nga kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës dhe të angazhohet seriozisht në procesin e vërtetë dhe të drejtë të paqes.