Shqipëria në Panairin e Berlinit, ftesë e veçantë për panairin më të rëndësishëm në botë
Shqipëria dhe panairi kryesor i turizmit në botë shpallin bashkëpunim të ngushtë për ITB Berlin 2025. “Një skenë e madhe për një vend ambicioz: Shqipëria dhe ITB Berlin kanë shpallur bashkëpunimin e tyre të ngushtë për vitin 2025”, thuhet në njoftimin zyrtar të Panairit të Berlinit.
Vendi i Evropës Juglindore do të jetë vendi zyrtar i ftuar i ITB Berlin 2025, i cili do të zhvillohet nga data 4 deri më 6 mars 2025 si një panair tregtar thjesht B2B. Në fillimit të muajit nëntor 2023, palët nënshkruan një deklaratë synimi për partneritet të përbashkët në Berlin.
“Pjesëmarrja në këtë panair nuk është vetëm një event disaditor për të qenë pjesëmarrës, por është një agjendë mbi njëvjeçare e përfaqësimit të produktit shqiptar, e mundësive që na jepen krah për krah markës dhe të gjitha eventeve që ITB-ja zhvillon përgjatë këtij viti,” shprehet Herida Duro, drejtore e Zhvillimit të Programit të Turizmit.
Si panairi kryesor në botë për industrinë e udhëtimeve dhe turizmit, Panairi i Berlinit është një platformë e jashtëzakonshme që bashkon palët e interesuara nga shumë vende në kryeqytetin gjerman.
“Kjo platformë do të ofrojë takime të drejtpërdrejta me blerës potenciale, midis turoperatorëve, qoftë të huaj apo shqiptarë, për të bërë të mundur prezantimin dhe ofrimin e produkteve sa më të diversifikuara,” thotë znj. Duro.
Shqipëria ka plane ambicioze për vitet dhe dekadat e ardhshme. Partneriteti me panairin më të rëndësishëm në botë për turizmin do t’i japë një shtysë të paçmuar dhe do ta afrojë biznesin turistik të Shqipërisë me një audiencë më të gjerë.