Shqipëria, nën sulme kibernetike, AKSHI: Situata në faqet qeveritare është rikthyer në normalitet
Shqipëria aktualisht gjendet nën sulme massive kibernetike, njoftoi Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Sulmet janë të shpërndara të formatit “Distributed Denial-of-Service” (DDoS). Ata kanë bllokuar rrjetin me tentativa ilegjitime aksesimi të
faqeve publike.
Situata është rikthyer në normalitet pas rreth 60 minutash dhe faqet qeveritare janë sërish në funksion të plotë.
Sipas AKSHI, sulme të tilla nuk kanë asnjë lidhje me sigurinë e sistemeve dhe të dhënave në to, por vetëm me bllokimin e faqeve publike.
Prej kohësh Shqipëria ka qenë nën vëmendjen maksimale të sulmuesve dhe keqbërësve kibernetikë.
AKSHI thekson se siguria kibernetike dhe e informacionit është një nga sfidat më të mëdha në epokën digjitale.
Identifikimi në kohë i kërcënimeve, reagimi i shpejtë, dhe forcimi i sigurisë është një proces kompleks i cili kërkon vëmendjen e duhur dhe
marrje masash të përshtatura sipas kohës dhe mënyrës së sulmeve, rast pas rasti.
Pak ditë më parë Parlamenti Shqiptar njoftoi se ekspertët e tij konstatuan një sulm kibernetik ndaj institucionit. Sipas ekspertëve, nga ky sulm
është synuar ndërhyrje në infrastrukturë dhe tentativë për fshirje të të dhënave.Parlamenti njoftoi ” se nuk janë prekur të dhënat në sistem dhe
ekspertët janë angazhuar plotësisht, që prej momentit kur kanë detektuar këtë ndërhyrje nga jashtë institucionit” .
Ndërsa në ditën e Krishtlindjeve, një grup hakrash me emrin Homeland Justice publikuan të dhëna mbi sulme të reja kibernetike ndaj faqes së
Kuvendit të Shqipërisë, parlament.al, si dhe një kompanie të telefonisë celulare.
Ky është sulmi i dytë serioz kibernetik ndaj institucioneve shqiptare, pas atij të korrikut vitin e kaluar. Autor është sërish Homeland Justice,
një grup hakerash që besohet se kanë origjinë iraniane.