Shqipëria njeh nesër kundërshtarët e Kupës së Botës 2026
Shqipëria do të njohë nesër kundërshtarët e kualifikueseve të Kupës së Botës 2026. Shorti do të hidhet në selinë qëndrore të FIFA-s në Zyrih nesër në ora 12:00.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe trajneri i ekipit kombëtar, Silvinjo do të ndjekin nga afër shortin e Botërorit dhe më pas do të ndajnë edhe përshtypjet e tyre përmes kanaleve sociale të FSHF-së.
Kombëtarja shqiptare është pjesë e vazos së tretë. Në të njëjtën vazo me Shqipërinë janë: Skocia, Sllovenia, Irlanda, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia, Finlanda, Islanda, Irlanda e Veriut, Izraeli, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi.
Ndërkaq, vazot e tjera janë të ndara si më poshtë:
Vazo 1: Franca, Spanja, Anglia, Portugalia, Holanda, Italia, Gjermania, Kroacia, Zvicra.
Vazo 2: Suedia, Uellsi, Polonia, Rumania, Norvegjia, Çekia.
Vazo 4: Luksemburgu, Bjellorusia, Kazakistani, Azerbajxhani, Estonia, Qipro, Ishujt Faroe, Letonia, Lituania.
Vazo 5: Moldavia, Malta, Andorra, Gjibraltari, Lihtenshtejn, San Marino.
Kualifikueset europiane për Kupën e Botës 2026 janë planifikuar të fillojnë në mars 2025 dhe të përfundojnë së bashku me fazën “play-off” në mars 2026.
Ekipet që janë renditur të parat në grupet e Nations League dhe vendet e dyta dhe të treta që luajnë për t’u ngjitur/zbritur nga ligat e NL do të jenë në grupe me katër ekipe dhe do të jenë pjesë e grupeve A-F.