Shqipëria pa energji për disa minuta, reagon Ministria. Pa drita edhe disa vende të rajonit
Shqipëria mbeti pa drita për disa minuta këtë të premte (21 qershor), teksa duket se energjia elektrike ka munguar edhe në disa vende të tjera të rajonit. Siç mësohet, pa energji elektrike mbetën edhe Mali i Zi, disa territore në Bosnjë-Hercegovinë dhe Dalmaci, një nga rajonet bregdetare të Kroacisë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë reagoi duke bërë me dije se rënia e energjisë elektrike erdhi për shkak të rënies së linjave të transmetimit në Shqipëri dhe Malin e Zi.
Sipas Ministrisë, defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë dhe më pas ka vazhduar me efekt kaskadë në të gjithë vendin. Po ashtu është identifikuar defekt edhe në linjën e Prizrenit.
“Nga këqyrja fillestare rezulton se volumet e larta të transmetimit si dhe temperaturat ekstreme kane qenë shkaktarët e shkëputjes totale të linjave të transmetimit”, thuhet në njoftimin paraprak të Ministrisë.