Shqipëria plotësisht digjitale në 2030, përmes Inteligjencës Artificiale
Shqipëria do nisë së shpejti përdorimin e gjerë të Inteligjencës Artificiale duke sjellë një ndryshim thelbësor në jetët tona.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj mori pjesë në punimet e TechAccelerator, organizuar nga Instituti “Tony Blair” për Ndryshim Global në Bruksel, ku prezantoi planin për Shqipërinë plotësisht digjitale në 2030.
“Teknologjia e re do të mundësojë shërbime proaktive, asistencë zanore për çdo shërbim publik, lehtësi në aplikim. Por jo vetëm kaq. Përmes Inteligjencës artificiale do të rritet transparenca në prokurimet publike, në sektorin e tatim-taksave, në administratën publike”, theksoi Karçanaj në një postim në rrjetet sociale.
Karçanaj tha se “forumi i TechAccelerator ishte një shans për t’u njohur me zhvillimet më të fundit në teknologji por edhe me eksperiencat e suksesshme të përdorimit të Inteligjencës Artificiale në shërbim të njerëzve. Jemi gati për e-Albania 2.0 dhe shërbimet proaktive me Inteligjencë Artificiale”.
Portali unik qeveritar shumëfunksional e-Albania.al administrohet dhe zhvillohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, shërben si një portë nëpërmjet së cilës çdo person i interesuar mund të marrë nëpërmjet internetit, shërbime elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri.
Në platformën e-Albania janë rreth 1231 shërbime elektronike ose 95 % e të gjitha shërbimeve publike shtetërore.